Persona të dokumentuar në arkivin e sigurimit.
Filtra koleksioni
Shfleto dokumentet sipas formatit, dekadës dhe temës.
Foto • 1975
Procesi gjyqësor i vitit 1948 ndaj Monsinjor Frano Gjinit dhe klerikëve françeskanë mbetet një nga proceset më të ashpra të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Në përfundim të gjyqit, u dhanë këto dënime : Monsinjor Frano Gjini, Dom Nikoll Deda dhe Padër Mati Prendushi u dënuan me vdekje; Dom Tom Laca me burgim të përjetshëm; Padër Gjon Karma dhe Dom Ndoc Sahatçija me nga 15 vjet burg dhe punë të detyruar; Padër Mhill Miraj me 7 vjet; Zef Haxhi dhe Dom Nikoll Shelqeti me nga 5 vjet; ndërsa më i riu në atë kohë, At Zef Pllumi, u dënua me 3 vjet burg dhe punë të detyruar, duke shënuar fillimin e vuajtjeve të tij të gjata.
Ky proces përfaqëson një nga goditjet më të forta ndaj klerit shqiptar, duke dëshmuar qartë karakterin represiv dhe politik të drejtësisë së asaj kohe.
Foto • 1974
Drita Çomo është vajza e Liri Belishovës dhe Maqo Çomos, ish-funksionarë të lartë të Partisë së Punës të cilët u zhveshën nga funksionet politike dhe shtetërore dhe u dënuan me burg dhe internim. Dosja e Drita Çomos është hapur në dhjetor të vitit 1974 dhe është mbyllur në vitin 1983 pas vdekjes së saj.
Dosja është një rast i survejimit që ish-Sigurimi i bënte adoleshentëve që vinin nga kontingjent i familjeve antiparti.
Foto • 1961
Foto • 1958
Baba Faja, emri i të cilit ishte Mustafa Xhani, lindi në Luz të Madh të Kavajës në vitin 1910. Ishte figurë fetare shqiptare, i përkatësisë bektashiane (sufi), dhe njëkohësisht udhëheqës gjatë Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.
Që në moshë të re, ndoqi rrugën e formimit fetar, duke studiuar për t’u bërë baba bektashi. Studimet i kreu në Teqenë e Martaneshit, ku edhe mori emrin e tij fetar, me të cilin u bë i njohur si Baba Faja.
Foto • 1958
Mustafa Merlika Kruja është një figurë e rëndësishme të historisë moderne shqiptare. Karriera e tij politike nis me shpalljen e Pavarësisë në 1912 dhe përfundon me dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit në vitin 1943. Pas largimit nga Shqipëria në shtator 1944 jetoi në mërgim deri sa vdiq në SHBA më 1958, duke u përqendruar në studime historike dhe albanologjike. Gjatë komunizmit u cilësua si kryeministër kuisling por përkujtohet edhe si kryeministri që mbajti të bashkuara trojet shqiptare dhe nuk pranoi t'u dorëzonte hebrenjtë trupave gjermane. La pas një veprimtari të rëndësishme studimore, letërkëmbime dhe një fjalor të humbur; veprat e tij u ribotuan pas vdekjes.
Është nderuar me titullin “Honoris Causa” (1942) nga Universiteti i Padovës, “Qytetar Nderi” nga qyteti i Prizrenit (1942) dhe “Nderi i Kombit” (2012) nga presidenti i Republikës me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Një bust ngrihet për nder të tij në qytetin e Krujës.
Për Mustafa Krujën gjenden dy dosje në arkivin e ish- Sigurimit të Shtetit me një vëllim prej 811 faqesh.
Foto • 1957
Në vitet ’50, kur Sigurimi i Shtetit i hapi dosje fashikull Fan Nolit, ai jetonte prej më shumë se 20 vjetësh në SHBA. Pas Luftës së Dytë Botërore kishte mbështetur qeverinë shqiptare dhe përpiqej për njohjen e Shqipërisë nga qeveria e SHBA-së. Me reputacion të lartë në diasporë, ai ishte president nderi i “Vatrës” dhe drejtonte Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare në SHBA, të themeluar prej tij.
Në këtë periudhë, mes pakënaqësive ndaj politikës komuniste, Sigurimi kërkoi të forconte lidhjet me të, ndërsa Noli i kërkoi ndihmë shtetit shqiptar për dërgimin e një peshkopi dhe dy priftërinjve në SHBA, si edhe shprehu interes për ribotimin e veprës së tij dhe studimet historike shqiptare.
Fan Noli (1882 - 1965) është një figurë e rëndësishme e kulturës dhe historisë shqiptare të shek. XX: klerik ortodoks, politikan, diplomat, njeri i letrave dhe muzikant. Ai ishte mbajtës i disa funksioneve shtetërore dhe publike për një periudhë të gjatë: deputet (prill 1921 - shtator 1923), ministër, kryeministër (1924), kryeredaktor i gazetës “Dielli”, kryetar nderi i shoqatës “Vatra” dhe kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.
Foto • 1947
Arshi Pipa (28 korrik 1920 – 20 korrik 1997) ishte një ndër intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX, poet, filozof, kritik letrar, gjuhëtar, përkthyes dhe pedagog. I diplomuar në Universitetin e Firences për Letërsi dhe Filozofi, ai ushtroi profesionin e mësuesit deri në arrestimin nga regjimi komunist. Sipas dokumentacionit arkivor, u arrestua fillimisht më 27 prill 1946, ndërsa më 24 dhjetor 1946 u dënua me 20 vjet burg si pjesë e të ashtuquajturit grup social-demokrat, me akuzën për veprimtari kundër pushtetit komunist. Gjatë vuajtjes së dënimit në burgje dhe kampe pune shkroi fshehurazi ciklin poetik "Libri i Burgut", një nga dëshmitë më të rëndësishme letrare mbi përvojën e burgut politik në Shqipëri. Pas lirimit në vitin 1956, u arratis një vit më vonë dhe u vendos fillimisht në Jugosllavi e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvilloi një karrierë të shquar universitare dhe u bë një nga figurat më të rëndësishme të albanologjisë dhe të diasporës shqiptare.
Pas vdekjes arkivi dhe biblioteka personale e Arshi Pipës iu dhurua Muzeut të Shkodrës. Është nderuar me titullin e lartë “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe "Qytetar nderi" i qytetit të Shkodrës.
Foto • 1947
Vinçenc Prennushi (1885–1949), françeskan, poet dhe studiues i njohur, u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burg nga gjykata ushtarake për “veprimtari kundër shtetit”. Në burgun e Durrësit, Mons. Prennushi iu nënshtrua torturave çnjerëzore, pavarësisht moshës dhe problemeve shëndetësore. Më 19 mars 1949, i sëmurë nga zemra dhe azma, Prennushi ndërroi jetë në spitalin e burgut.
Foto • 1947
Et’hem Haxhiademi lindi në Elbasan më 8 mars 1902. Pasi përfundoi shkollën në Elbasan, kreu studimet e mesme në Leçe të Italisë dhe në Insbruk të Austrisë gjatë viteve 1919–1923. Në periudhën 1924–1928 vijoi studimet e larta në Berlin dhe Vjenë, ku u diplomua në shkencat politiko-juridike. Pas kthimit në Shqipëri, ushtroi funksione në administratën shtetërore, paralelisht me zhvillimin e veprimtarisë së tij letrare dhe krijuese. Njihet si themelues i tragjedisë shqiptare me veprat “Ulisi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”.
Me vendosjen e regjimit komunist, u arrestua me akuzën si armik i popullit dhe mbështetës i Ballit Kombëtar. U dënua me vdekje, dënim i cili iu zëvendësua me burgim të përjetshëm. Dënimin e vuajti në burgjet e Elbasanit dhe Gjirokastrës, për ta përfunduar në Burrel, ku dhe vdiq më 17 mars 1965. Gjatë 20 viteve të burgimit u mor me përkthime nga greqishtja e vjetër, latinishtja, gjermanishtja dhe turqishtja. Eshtrat e tij ende nuk janë gjetur.
Rezultate totale: 18