Rezultate nga të gjitha koleksionet
Filtroni të gjitha postimet e publikuara sipas formatit, periudhës kohore dhe temave të kuruara.
Filtra arkive
Rafino kërkimin sipas formatit, dekadës dhe temës.
Tema
Foto • 1958
Mustafa Merlika-Kruja (1887-1958)
Mustafa Merlika Kruja është një figurë e rëndësishme të historisë moderne shqiptare. Karriera e tij politike nis me shpalljen e Pavarësisë në 1912 dhe përfundon me dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit në vitin 1943. Pas largimit nga Shqipëria në shtator 1944 jetoi në mërgim deri sa vdiq në SHBA më 1958, duke u përqendruar në studime historike dhe albanologjike. Gjatë komunizmit u cilësua si kryeministër kuisling por përkujtohet edhe si kryeministri që mbajti të bashkuara trojet shqiptare dhe nuk pranoi t'u dorëzonte hebrenjtë trupave gjermane. La pas një veprimtari të rëndësishme studimore, letërkëmbime dhe një fjalor të humbur; veprat e tij u ribotuan pas vdekjes.
Është nderuar me titullin “Honoris Causa” (1942) nga Universiteti i Padovës, “Qytetar Nderi” nga qyteti i Prizrenit (1942) dhe “Nderi i Kombit” (2012) nga presidenti i Republikës me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Një bust ngrihet për nder të tij në qytetin e Krujës.
Për Mustafa Krujën gjenden dy dosje në arkivin e ish- Sigurimit të Shtetit me një vëllim prej 811 faqesh.
Foto • 1958
Baba Faja (1910 - 1947)
Baba Faja, emri i të cilit ishte Mustafa Xhani, lindi në Luz të Madh të Kavajës në vitin 1910. Ishte figurë fetare shqiptare, i përkatësisë bektashiane (sufi), dhe njëkohësisht udhëheqës gjatë Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.
Që në moshë të re, ndoqi rrugën e formimit fetar, duke studiuar për t’u bërë baba bektashi. Studimet i kreu në Teqenë e Martaneshit, ku edhe mori emrin e tij fetar, me të cilin u bë i njohur si Baba Faja.
Foto • 1957
Fan Noli (1882-1965)
Në vitet ’50, kur Sigurimi i Shtetit i hapi dosje fashikull Fan Nolit, ai jetonte prej më shumë se 20 vjetësh në SHBA. Pas Luftës së Dytë Botërore kishte mbështetur qeverinë shqiptare dhe përpiqej për njohjen e Shqipërisë nga qeveria e SHBA-së. Me reputacion të lartë në diasporë, ai ishte president nderi i “Vatrës” dhe drejtonte Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare në SHBA, të themeluar prej tij.
Në këtë periudhë, mes pakënaqësive ndaj politikës komuniste, Sigurimi kërkoi të forconte lidhjet me të, ndërsa Noli i kërkoi ndihmë shtetit shqiptar për dërgimin e një peshkopi dhe dy priftërinjve në SHBA, si edhe shprehu interes për ribotimin e veprës së tij dhe studimet historike shqiptare.
Fan Noli (1882 - 1965) është një figurë e rëndësishme e kulturës dhe historisë shqiptare të shek. XX: klerik ortodoks, politikan, diplomat, njeri i letrave dhe muzikant. Ai ishte mbajtës i disa funksioneve shtetërore dhe publike për një periudhë të gjatë: deputet (prill 1921 - shtator 1923), ministër, kryeministër (1924), kryeredaktor i gazetës “Dielli”, kryetar nderi i shoqatës “Vatra” dhe kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.
Foto • 1955
Hebrenjtë në Shqipëri sipas Sigurimit të Shtetit: statistika dhe masa operative
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit (27 janar), sjellim në vëmendje dokumente arkivore nga Arkivi i AIDSSH ku pasqyrohet mënyra se si komuniteti hebre në Shqipëri u regjistrua dhe u administrua nga Sigurimi i Shtetit pas Luftës së Dytë Botërore. Fokusi i këtij postimi është te materialet statistikore dhe përshkruese, të cilat paraqesin të dhëna mbi numrin, shpërndarjen gjeografike dhe klasifikimin administrativ të këtij komuniteti.
Dosjet i përkasin Fondit të 4-t të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme dhe mbulojnë një hark kohor nga viti 1955 deri në vitin 1991. Ato përfshijnë relacione analitike mbi kontigjentin e izraelitëve në Shqipëri, fashikuj lokalë me të dhëna emërore dhe biografike, si dhe dokumentacion mbi procedurat e riatdhesimit dhe largimit përfundimtar drejt Izraelit. Së bashku, këto materiale pasqyrojnë faza të ndryshme të evidentimit, administrimit dhe trajtimit institucional të komunitetit hebre nga organet shtetërore gjatë periudhës socialiste dhe në vitet e tranzicionit.
Foto • 1954
Vendime të Komisionit të Internim Dëbimeve dhe Konfiskimeve
Internimi dhe dëbimi ishin masa administrative të përdorura gjatë regjimit komunist ndaj individëve dhe familjeve të konsideruara nga autoritetet si politikisht të padëshiruara. Internimi nënkuptonte vendosjen e detyruar në një zonë të përcaktuar, me kufizim të lëvizjes dhe mbikëqyrje administrative, ndërsa dëbimi nënkuptonte largimin e detyruar nga vendbanimi.
Masat prekën kategori të ndryshme personash, përfshirë familjarë të të arratisurve, persona të dënuar ose të konsideruar kundërshtarë politikë dhe familje të ish-funksionarëve. Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë viteve 1945–1990 u internuan 48.217 burra dhe 10.792 gra, ndërsa 11.536 familje u dëbuan nga qytetet kryesore dhe zonat kufitare.
Foto • 1954
Vendimet e Internimit në Shqipëri (1944–1990)
Vendimet e internimit ishin akte administrative përmes të cilave regjimi komunist dëboi dhe izoloi mijëra individë dhe familje në kampe dhe zona të caktuara internimi. Në vitet e para të regjimit, këto masa merreshin shpesh pa një proces të rregullt gjyqësor, ndërsa pas vitit 1955 mekanizmi u formalizua përmes Komisionit të Internim-Dëbimeve. Internimi u përdor si instrument represioni politik, duke prekur edhe familjarët e personave të arratisur apo të dënuar politikisht. Praktika vijoi deri në vitin 1990; vendimi i fundit i internimit vlerësohet të jetë marrë më 10 shkurt 1990, ndërsa më 8 maj 1990 u shfuqizua ligji për internimet dhe dëbimet.
Foto • 1954
Kampet dhe qendrat e internimit në Lushnjë
Kampet dhe qendrat e internimit në Lushnjë ishin pjesë e sistemit të internimit dhe punës së detyruar gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Pas vitit 1950, në këto qendra u internuan qindra familje të persekutuara, ndër to familje të njohura politike dhe familje të mëdha shqiptare, si Markagjoni, Pervizi, Bajraktari, Dukagjini, Kokalari, Dine, Vatnikaj, Koliqi, Biçaku, Mulleti, Merlika, Topalli, Alizoti, Kupi, Dosti, Kaloshi, Kolgjini, Mirakaj dhe të tjera.
Të internuarit punonin në bujqësi, hapjen e kanaleve dhe tharjen e kënetave, ndërsa jetonin në kushte të vështira dhe nën kontroll e mbikëqyrje të vazhdueshme. Lëvizja e tyre ishte e kufizuar dhe kërkonte leje nga autoritetet.
Dokumentet arkivore të paraqitura në këtë seksion dëshmojnë për organizimin e këtyre qendrave dhe jetën e familjeve të internuara në zonën e Lushnjës.
Foto • 1947
Arshi Pipa
Arshi Pipa (28 korrik 1920 – 20 korrik 1997) ishte një ndër intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX, poet, filozof, kritik letrar, gjuhëtar, përkthyes dhe pedagog. I diplomuar në Universitetin e Firences për Letërsi dhe Filozofi, ai ushtroi profesionin e mësuesit deri në arrestimin nga regjimi komunist. Sipas dokumentacionit arkivor, u arrestua fillimisht më 27 prill 1946, ndërsa më 24 dhjetor 1946 u dënua me 20 vjet burg si pjesë e të ashtuquajturit grup social-demokrat, me akuzën për veprimtari kundër pushtetit komunist. Gjatë vuajtjes së dënimit në burgje dhe kampe pune shkroi fshehurazi ciklin poetik "Libri i Burgut", një nga dëshmitë më të rëndësishme letrare mbi përvojën e burgut politik në Shqipëri. Pas lirimit në vitin 1956, u arratis një vit më vonë dhe u vendos fillimisht në Jugosllavi e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvilloi një karrierë të shquar universitare dhe u bë një nga figurat më të rëndësishme të albanologjisë dhe të diasporës shqiptare.
Pas vdekjes arkivi dhe biblioteka personale e Arshi Pipës iu dhurua Muzeut të Shkodrës. Është nderuar me titullin e lartë “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe "Qytetar nderi" i qytetit të Shkodrës.
Foto • 1947
Jusuf (Isuf) Vrioni, (1916-2001)
Jusuf Vrioni (16 mars 1916 – 1 qershor 2001) lindi në Korfuz. Ishte djali i Iliaz Vrionit, ish-kryeministër dhe diplomat shqiptar. Studioi në Francë dhe Itali, ku mori titullin “Doktor në Drejtësi”.
U kthye në Shqipëri më 1939, por në vitin 1947 u arrestua nga regjimi komunist si “agjent francez” dhe u dënua me 15 vjet burg. Pas lirimit punoi si përkthyes, duke sjellë në frëngjisht veprat e Ismail Kadare dhe disa libra të Enver Hoxha.
Pas rënies së komunizmit u emërua ambasador pranë UNESCO në Paris. Në vitin 2006 Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë krijoi çmimin e përkthimit “Jusuf Vrioni”.
Në vitin 1998 u dekorua nga Franca me titullin “Chevalier de la Légion d’Honneur”. Vdiq në Paris më 2001.
Foto • 1947
Mons. Vincens Prennushi në dosjet e Sigurimit të Shtetit
Vinçenc Prennushi (1885–1949), françeskan, poet dhe studiues i njohur, u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burg nga gjykata ushtarake për “veprimtari kundër shtetit”. Në burgun e Durrësit, Mons. Prennushi iu nënshtrua torturave çnjerëzore, pavarësisht moshës dhe problemeve shëndetësore. Më 19 mars 1949, i sëmurë nga zemra dhe azma, Prennushi ndërroi jetë në spitalin e burgut.
Foto • 1947
Et’hem Haxhiademi (1902-1965)
Et’hem Haxhiademi lindi në Elbasan më 8 mars 1902. Pasi përfundoi shkollën në Elbasan, kreu studimet e mesme në Leçe të Italisë dhe në Insbruk të Austrisë gjatë viteve 1919–1923. Në periudhën 1924–1928 vijoi studimet e larta në Berlin dhe Vjenë, ku u diplomua në shkencat politiko-juridike. Pas kthimit në Shqipëri, ushtroi funksione në administratën shtetërore, paralelisht me zhvillimin e veprimtarisë së tij letrare dhe krijuese. Njihet si themelues i tragjedisë shqiptare me veprat “Ulisi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”.
Me vendosjen e regjimit komunist, u arrestua me akuzën si armik i popullit dhe mbështetës i Ballit Kombëtar. U dënua me vdekje, dënim i cili iu zëvendësua me burgim të përjetshëm. Dënimin e vuajti në burgjet e Elbasanit dhe Gjirokastrës, për ta përfunduar në Burrel, ku dhe vdiq më 17 mars 1965. Gjatë 20 viteve të burgimit u mor me përkthime nga greqishtja e vjetër, latinishtja, gjermanishtja dhe turqishtja. Eshtrat e tij ende nuk janë gjetur.
Foto • 1946
Rregullorja për evidencën e shërbimit të zbulimit
Rezultate: 34